Anita Haradinaj: 192 fluturimet për në Hagë(video)

Tashmë burri i shtëpisë është kthyer, e duket se të gjithë dhimbjen që ka kaluar do ta hedhë pas. Ka jetuar mes skenarësh të thurur për të mbrojtur fëmijët, ashtu sikurse “La vita e bella” e Benigni-t, ka jetuar mes njerëzish që deri sa i shoqi ishte në krye të qeverisë, i flisnin gjithë dashuri, e më pas, kur i ndodhi e keqja i kthyen shpinën, një pjesë të jetës gjatë këtyre dy viteve të fundit e ka kaluar në “qiell” mes Prishtinës dhe Hagës… Anita Haradinaj bashkëshortja e Ramush Haradinaj, njeriut që u prit si hero në Kosovë, tregon momentet e para të takimit të së shoqit me fëmijët, bisedat me tyre mes një përshkrimi të sinqertë të historisë së tyre të dashurisë… Nga “Petro Nini” në Kosovë, si ishte rrugëtimi juaj, çfarë ndodhi? Nga “Petro Nini” përndryshe pjesa më e bukur e jetës, marrë parasysh faktin që gjimnazi është pjesa më e bukur e jetës, vazhdova në Akademinë e Arteve të Bukura për Dramë në Tiranë. Pak kohë më pas lufta në Kosovë mbaroi dhe me shumë mall e nostalgji erdha me babin në Prishtinë, meqë atë e kishin ftuar në Radio Televizionin e Kosovës për të vazhduar punë, pasi babi im ka qenë prezantues lajmesh edhe në RTP, edhe në RTSH në programin për Kosovën në atë kohë. Im atë më mori me vete për t`i përkthyer meqë në 1999 kur edhe filloi estabilishmenti i RTK-së, stafi ishin pothuajse ndërkombëtare. Përgjatë përkthimit mua më ofruan punë në redaksinë e lajmeve ndërkombëtare dhe unë e pranova ofertën pasi që isha rritur me botën e televizionit qysh e vogël, dhe dashuria për televizionin nuk kishte ndaluar kurrë. Si fëmijë kur thur ëndrra dhe krijon iluzione Televizioni ka qenë gjithmonë ëndrra ime e cila një ditë do të bëhej realitet. Që atëherë fillova jetën në Prishtinë por gjithmonë kam debulesë për Tiranën. Edhe sot kur vij në Tiranë, ndihem si në shtëpi. Më pas vazhdova studimet për Juridikë në Universitetin e Prishtinës, magjistrova në Universitetin Amerikan në Prishtinë dhe ende sot punoj në Televizion. Rruga ime deri këtu ka qenë e bukur por jo e lehtë. Ditëlindja juaj më 1980, Ramushi më 1968, diferencë goxha e madhe. Cili ishte çelësi i suksesit të tij, përveç të qenurit burrë që ju e keni përmendur shpesh? Dashuria nuk matet me vjet, Ramushin e vlerësoj për atribute të veçanta që posedon, për një karakter të jashtëzakonshëm për sinqeritetin dhe mirësjelljen e tij. Ai është shoku më i mirë në jetën time është baba shumë i mirë, është familjar i kujdesshëm dhe mbi të gjitha më do shumë. Çelësi i suksesit, është ndoshta një besim dhe respekt i ndërsjellë, afërsia dhe kompromisi dhe mbi të gjitha dashuria e madhe për njëri tjetrin. Ku u njohët dhe si ishin muajt e parë të lidhjes? Unë me Ramushin jemi njohur gjatë punës. Në atë kohë unë punoja në Radio Kosova kur ai si ushtarak kishte ardhur për një intervistë. Më pas jemi takuar shumë shpesh gjatë aktiviteteve të tij në politike ku unë si gazetare terreni isha prezent. Më filluam të dalim dhe për kafe, për darkë, për drekë deri sa një ditë me guximin që ka, me propozoi martesë, i ftoi prindërit e mi për darkë dhe i njoftoi edhe ata për “rastin në fjalë”. Një dasmë në Gllogjan, vendin ku u lind Ramushi, A do të doje sot ta bëje dasmën tjetërkund? Ne kemi bërë një dasmë shumë tradicionale ku krushqit kanë ardhur dhe me kanë marrë mua si nuse në fshatin e gjyshit tim në Korishë të Prizrenit. Kemi vazhduar në Gllogjan me të gjitha traditat tona por pak të adaptuara për kohën. Pastaj e kemi bërë një aheng në Hotel Grand në Prishtinë ku kemi bërë celebrimin me autoritetet e Bashkisë së Prishtinës dhe tingujt e bukur të muzikës së ekzekutuar nga Filarmonia e Kosovës në prani të shumë miqve e familjareve. Ka qenë ndoshta ndër dasmat më të mëdha të Kosovës deri më sot dhe, për mua ka qenë dasmë shumë e bukur. Mami im është përkujdesur për të gjitha detajet që mua do më kënaqnin dhe sigurisht nuk do ta kisha ndërruar as lokacionin dhe as formën e mënyrën e dasmës se si është bërë edhe sot e njëqind herë përsëri njëjtë do ta kisha bërë. Ke kaluar shumë peripeci në jetë, 8 vjet histori do e burgosin sot, do e burgosin nesër, 4 vjet pa të…. Si e ke përballuar, cili ka qenë momenti më i vështirë gjatë këtyre viteve? Peripecitë janë pjesë e pandashme e jetës për secilin prej nesh. Dikush më pak e dikush më shumë. Kjo e imja ka qenë shumë, ka qenë e rëndë e mundimshme në të gjitha aspektet si fizikisht, moralisht, psiqikisht, emocionalisht edhe financiarisht. Ka involvuar shumë njerëz, në radhë të parë mua e fëmijët, familjet dhe të gjithë njerëzit që na rrethojnë e më së shumti Kosovën. Unë e kam pasur shumë të vështirë për faktin që ne kemi qenë në vitin e parë të martesës kur filloi e gjithë kjo histori. Kanë ardhur fëmijët në jetë është dashur një punë e madhe për të menaxhuar gjithçka, deri në detajet më të vogla dhe më praktike që e bëjnë jetën dhe, nuk mund të mos e them që jam lodhur shumë. Secili moment ka qenë i vështirë në mënyrën e vet si ato të gëzimit dhe hidhërimit. Ka qenë një boshllëk evident konstant, një barrë që e kam pas mbi shpinë edhe kur kam fjetur gjumë. Më e vështira ka qenë kur kam lindur Trimin. Gëzimin e kam ndarë me gjithë familjen por mënyra e gëzimit të prindit dallon dhe, të sjellësh një fëmijë në jetë e të mos kesh mundësi ta ndash me gjysmën tjetër është shumë e rëndë. Por kjo nuk përshkruhet me fjalë dhe beso as në faqet e gazetës. Ka qenë e dhimbshme. Ju jeni gazetare ne RTK, gjate kohës që Ramushi ishte në burg ke pasur njerëz që janë munduar t’ju bëjnë keq, t’ju sulmojnë kundërshtarë të tij kuptohet? E thashë që çdo moment ka qenë i vështirë. Shpesh më kanë zhgënjyer njerëzit e kam thënë shpesh herë është e çuditshme se si njerëzit ndërrojnë brenda natës. Të njëjtit që i kam njohur gjatë kohës që Ramushi ka qenë Kryeministër po të njëjtit kanë kthyer shpinën për të mos më parë as për të mos më përshëndetur, se mos iu rrezikoheshin pozitat. Por c‘rëndësi ka në fund të fundit prandaj bota është kaq komplekse sepse ka gjithçka. Unë kam besuar në diçka më madhore dhe kemi dal fitues. Madje për ata që kanë pas pak dyshim për fitoren dhe pastërtinë e Ramushit dhe të luftës sonë të pastër, e kemi rikonfirmuar. Ku ka fitore më të madhe se sa të dalësh dy herë fitues, se sa të rikonfirmosh pastërtinë dhe nderin e një populli?! Në intervistën e bashkëshortit tuaj, ai zbuloi faktin se ju fëmijët i paskeni bindur me skenarin që i ati është në akademi ushtarake. Ka pasur momente që ata të ngacmuar nga fëmijë të tjerë e kanë mësuar të vërtetën, si ka qenë përballja me to? Meqë fëmijët kanë qenë të vegjël unë jam munduar t‘i kursej nga gjithë kjo histori. Në fakt mami im e ka shpikur këtë histori sepse Gjini është shumë i lidhur me mamin tim dhe ajo më ka ndihmuar shumë në rritjen e tij. Një ditë teksa ai e kish pyetur Mamin ku është Ramushi ajo i ka thënë: Ka shkuar në Shkollë për t‘u bërë ushtar. E që atëherë në e kemi vazhduar këtë histori duke u munduar t‘i kursejmë fëmijët nga e vërteta sa herë që unë jam ndodhur para breshëri pyetjesh e përgjigjesh nga Gjini. Po t‘ua thosha të vërtetën nuk doja të mbillja tek ata frikën për ta mbrojtur vendin, nuk doja që ata me kalimin e kohës të krijonin ndonjë lloj irritimi nga drejtësia. Nuk doja që ata të rriten duke menduar që të jesh i drejtë dhe i pastër rrezikohesh. U jam shumë mirënjohëse prindërve të shokëve të shkollës dhe edukatorëve që në çdo rast i kanë ruajtur dhe i kanë mbajtur larg nga e vërteta. I vetmi fat në gjithë këtë histori fatkeqe është që fëmijët kanë qenë të vegjël për të kuptuar gjëra të mëdha. Kam përshtypjen se ata bënin sikur s’kuptonin… Ndoshta, megjithatë do vijë koha e rrëfimeve dhe vetëm koha dhe historia do ta rrëfejë të vërtetën. Me siguri fëmijët do të mësojnë në faqet e historisë për mbiemrin që ata mbartin dhe besoj që do jenë krenar për gjithçka….. Më 2011 ju u bëtë me një tjetër djalë. E bëtë këtë edhe pse Ramushi po ikte sërish në Hagë, pse e vendosët këtë, pak halle kishe me dy të tjerët apo kishit ndonjë motiv më të fortë? Kur unë kam ngelur shtatzënë nuk kemi pas ndonjë sinjal që diçka e tillë do ndodhte (qesh). Fëmijët e mi i kam kategorizuar kështu: Gjini është produkt i dashurisë dhe muajit të mjaltit, Hana produkt i lirimit të përkohshëm, e Trimin e nisa për produkt të lirisë por i ndërroi destinimi dhe erdhi si produkt i rigjykimit (qesh). Tash, sinqerisht ta them që nuk e kemi menduar kurrë që diçka e tillë do të ndodhte sepse ky është rasti i vetëm në histori që një çështje është kthyer për rigjykim prandaj ka qenë e pamundur ta mendosh. Në ditarin tuaj pikërisht për këtë periudhë shkruani: Eh kështu u bënë 20 muaj dhe Ramushi nuk u kthye. Nuk erdhi as atëherë kur ishin festat, as kur shkoj Gjini në klasë të parë, as kur e mori librezën, as për festën e Abetares, as kur e linda Trimin, as kur erdha nga spitali në shtëpi me Bebe…. Shumë e trishtë, pesimiste? Jo nuk ka qenë pesimiste, më vjen inat të më thonë pesimiste sepse unë kam dhënë atomin e fundit të mos reflektoj pesimizëm. Por ky ka qenë realiteti me të cilin jam përballur unë, sado që mund të duket pesimist apo i vështirë kjo ka qenë e vërteta. Kur Ramushi shkoi për rigjykim nuk e mendova që do stërzgjatej ky proces dhe e binda veten që më e shumta që mund të zgjatej ishte një vit, 365 ditë por, të zgjaste dy vite kurrë nuk e kisha menduar dhe kam pasur arsye sepse për dy vite aty janë zhvilluar vetëm 3 ose 4 javë gjykim efektiv. Por duke qenë e bindur që ky gjykim ka qenë vetëm politik me siguri politika e ka pa të arsyeshme që ta zgjaste kaq shume. Si do që të jetë ato kanë qenë disa nga gjërat praktike që ndodhin në jete dhe që Ramushin nuk e kam pas afër. Nuk mund te quhem pesimiste nëse unë kam kërkuar babanë ta dërgoj djalin në klasë të parë ose për festa ose kur mori librezën e klasës së parë, ose kur kam ardhur nga materniteti në shtëpi kur e kam lindur Trimin, por ama, mund ta quaj si histori të trishtë dhe shumë të trishtë që do të doja shumë ta lë pas dhe të vazhdoj tutje sepse kemi shumë punë para vetes. Kam lexuar se i keni numëruar vajtjet në Hagë me avion, e sa u bënë deri më sot? 42 ka qënë e fundit dhe që atëherë nuk kam shkuar më, nuk është ndoshta saktë kjo 42 por me aq sa kam arritur të mbaj shënim pO. Por kjo ka qenë vetëm këto dy vitet e rigjykimit se ato të gjyqit të parë janë mbi 150 (qesh). Vizitën e parë që bëri Ramushi në shtëpi e gjeti Trimin 16 muajsh, madje kishte filluar të flasë. Si e pritën fëmijët ardhjen e tij? Ishte hera e parë që u takuan. Trimi tashmë ka filluar të thotë edhe fjalët e para dhe për të ishte e habitshme kur Trimi i tha; Babo. Ndërkohë, Gjini dhe Hana kanë qenë të gëzuar, vetëm sa nuk fluturonin, as unë nuk e mendoja që ata do të reagonin me kaq gëzim sepse nuk ma kishin shprehur ndonjëherë kaq haptas përmallimin. Vetëm zemra dhe shpirti i tyre i vockël dhe i pastërmund e di se sa shumë janë gëzuar dhe çfarë përjetimi kanë pasur Vetëm 6 javë të bashkuar, pastaj nisi sërish beteja, vuajtja, ndarja, malli… Si e kujton atë kohë? (Qesh) Nuk dua ta kujtoj fare, jam lodhur nga gjithë ato emocione. Sot më në fund të bashkuar, e shpresojmë përfundimisht. Ke frikë mos i nxjerrin ndonjë kleçkë tjetër se njeriut mendja te e keqja i shkon apo vuajtja mbaroi? Më në fund u mbyll kjo histori dhe nuk besoj të sfidohemi më për diçka të tillë. Jeta është plot sfida dhe befasi por këto që do vijnë më pas janë të natyrës tjetër, besoj të lidhura me punët me përditshmërinë dhe me gjithçka që i jep jetës kuptim. Natyrisht e përsëris që kemi shumë punë para vetes dhe çdo punë ka vështirësi, ka situata që duhet të përballësh. Kosova si shtet i ri dhe në zhvillim ka shumë procese dhe shumë dinamikë që kërkon angazhim të plotë dhe, kjo është sfiduese, por në jemi të gatshëm që të ecim tutje Nga ato “gënjeshtra” që iu the fëmijëve, ata panë të atin ti kthehet si hero, me një pritje dinjitoze të protokollit të shtetit. Bënë ndonjë batutë, Gjini si më i madhi? Ata e kuptuan që Ramushi doli fitues por ishin si në amulli për gjithçka që ndodhte, dukej qartë në fytyrat e tyre që diçka e bukur po ndodhte dhe ata po e përjetonin në maksimum dhe në mënyrën me të mirë të mundshme. Kur hipëm në makinë Ramushi i tha Gjinit: Gjin e mbarova shkollën dhe i vogli ia ktheu: Po e di! Bravo! Po fëmijët e tjerë si reaguan kur takuan të atin, Trimi si më i vogli? Hana është 6 vjeç dhe është ende e vogël për të kuptuar diçka më shumë e për Trimin as që bëhet fjalë ai ende nuk I ka mbushur dy vjet Çfarë bëtë pasi u takuat, bisedat e para, darka e parë së bashku? Ka pasur një pritje madhështore, shumë të bukur. Dua të falënderoj gjithë popullin e Kosovës, të gjithë shqiptarët kudo që janë, që atë ditë kanë qenë me ne dhe, kemi festuar bashkë sepse nuk ka qenë festë vetëm e familjes tonë por ka qenë festë e Kosovës. Përmes Ramushit është vërtetuar pastërtia e luftës së popullit të Kosovës. Rasti i Ramushit nuk ka qenë rast individual por ka qenë rasti i një populli të tërë, i një sakrifice të madhe të një populli të tërë. Cila është gjeja më e ndjerë që ju tha bashkëshorti sepse ju e treguat veten burrneshë? Ramushi nuk është tip që thotë gjëra sa për t‘i thënë dhe që i thotë pse duhet thënë por mënyra se si e thotë të jep të kuptosh shumë. A do t’ia prishni mendjen të bëni ndonjë pushim të gjatë vetëm ju të pestë, apo s’ka shanse, Ramushi do i kthehet punëve? E kemi në plan të bëjmë një pushim vetëm unë dhe ai fillimisht,e më vonë edhe me fëmijët. Cili ka qenë momenti më i keq në gjithë këto vjet martesë? Kur ka ardhur aktakuza. Cili ka qenë kërcënimi apo fjala e keqe që keni marrë e dëgjuar për tët shoq? Njerëzit kanë të drejtë të shprehin mendimin e tyre prandaj fjalët e këqija nuk i marrë si kërcënim . E gjej kurajën t‘i arsyetoj për çdo lloj dyshimi që mund të shprehin, por një gjë e di mirë dhe e them me bindje të plotë, Ramushi nuk ia ka kthyer shpinën Kosovës për asnjë çmim dhe nuk i ka zhgënjyer njerëzit e këtij vendi në asnjë moment dhe as që do t‘i zhgënjej ndonjëherë. Cila është më e keqja që ju kanë parë sytë? Tani që jam në momente shplodhjeje nuk dua të mendoj për të këqijat. Cila është ëndrra jote në sirtar? Ëndrrat janë pjesë e fëmijërisë. Kur rritesh nuk krijon më ëndrra e iluzione. Tash, ka vetëm qëllime dhe ambicie. Dhe unë do mundohem të punoj në realizimin e këtyre qëllimeve që i ve secili prej nesh para vetes. Cila është makina që ju përdorni? E kam një makinë shumë të mirë dhe të vogël që m‘i plotëson kërkesat e mija dhe të fëmijëve. Për mua makina është nevojë sepse tre fëmijë kanë shumë punë. Sa dhoma ka shtëpia juaj? Shtëpia është shumë e madhe por ne shfrytëzojmë vetëm dy kate ku janë 4 dhoma gjumi dhe një dhomë dite me një kuzhinë. Sa e pasur jeni? Unë jam shumë e pasur! Pasuria më e madhe që kam janë familja ime që nuk do ta ndërroja për asgjë në botë dhe kam një jetë të përmbushur dhe që më bën të ndihem mirë e realizuar. Por, ecim tutje. E sheh veten tënde në politikë, apo dy nga një familje sikur s’shkon? Dy ose edhe me shumë nga një familje edhe mund të shkojnë sepse secili është i veçantë në mënyrën e vet dhe po aq e veçantë është mënyra se çka secili jep dhe përfaqëson, por varet a ka nevojë politika për dy nga një familje!? /bw/